Shën Valentini është një shenjtor i njohur, që ka jetuar në shekullin e tretë në Romë, i cili përkujtohet në datën 14 shkurt . Ai është lidhur që nga mesjeta me simbolin e dashurisë së sinqertë. Asgjë nuk dihet me siguri për të, përveç faktit që quhej Shën Valentin dhe se vdiq më 14 shkurt në rrugën “Flaminia” në veri të Romës. Sot Dita e Shën Valentinit është një ditë feste në komunitetin e besimit anglikan dhe në atë protestant. Kisha ortodokse e feston ditën e priftit Shën Valentin më 6 korrik, ndërsa ditën e martirit Shën Valentin më 30 korrik. Dita e Shën Valentinit festohet në shumë vende të botës edhe pse është një ditë pune. Kjo ditë u lidh fillimisht me dashurinë nga vargjet e Xhefri Kaucer në mesjetë, kohë kur lulëzoi tradita e romancës. Simbolet e ditëve të sotme për Shën Valentinin janë zemrat, pëllumbat dhe engjëlli Kupid. Në shekullin e 19-ë, dedikimet për Shën Valentinin jepeshin përmes kartolinave, të cilat u bënë shumë popullore.
Legjenda!
Në shekullin V dhe VI u publikua një vepër e quajtur “Passio Marii et Marthae”. Në të pasqyroheshin histori të trilluara rreth martirizimit të Shën Valentinit dhe të shenjtorëve të tjerë. Kjo vepër deklaronte se Shën Valentini ishte persekutuar për shkak se ishte i krishterë dhe se ishte marrë në pyetje nga vetë Perandori Klaudi II. Ky i fundit ishte impresionuar nga Valentini dhe se kishte diskutuar gjatë me të, madje ishte përpjekur edhe ta bindte të kthehej në pagan, që në këtë mënyrë t’i shpëtonte jetën. Valentini kishte refuzuar dhe përkundrazi ishte përpjekur që ta kthente Klaudin në të krishterë dhe për këtë shkak ai ishte ekzekutuar. Përpara se të ekzekutohej, ai kishte shëruar vajzën e verbër të rojës së burgut Asterius.