Mësimi online?!
Fillimisht u duk si një zgjidhje, mund të funksionojë! Arsimtarët mund të dërgojnë shpjegimin e mësimit me video, mund ta realizojnë atë me anë të video-ve live. Nxënësit do të mund të punojnë normalisht, ju vijnë në ndihmë prindërit, interneti, do të jenë gjithë kohën në shtëpi, e plot argumente të cilat njeriu i përdor të bindë veten! Janë shumë të cekëta e di!
Çdo ditë inbox-i im është plot me tema ese-sh, ushtrime madje dhe provime! Më vijnë dhjetra video me shpjegime mësimi brënda 5 minutash dhe për dreq mirë që ekziston ende e folura dialektore, por shpjegimi është më i cunguar se harta aktuale e kufinjve shqiptarë. Ky na qenka mësimi online?!
Skandaloze!Për mendimin tim, mësimi online është një dështim total kur eksperimentohet në një vend si i yni, i cili akoma nuk është çliruar psikologjikisht nga ferri i komunizmit! Pushtetarë të dashur, që shisni dëngla me diploma të blera, nuk pres të arsyetoni!Më vjen keq që ende në Shqipërinë time të shenjtë ka mësues të gjuhës shqipe që nuk dinë ta përdorin e shpjegojnë atë. Gabimet gramatikore janë të pa imagjinueshme, që nga “mbrekullia” e deri tek “mallësia”, “qekiqi”, “kënaçësia” e një mori palaçollëqesh të tilla.
Të dashur pushtetarë, e dini se Shqipëria ime e bukur ka nevojë për godina shkolle? Ka nevojë për banka, sisteme ngrohjeje, për laboratore e ambjente praktike? E dini se ka nevojë për infrastrukturë në zonat e thella, në mënyrë që nxënësit të mos kalojnë pellgje e lumenj për të shkuar në shkollë?! Sigurisht që e dini, por mbyllni sytë e veshët! Mundoheni të na hidhni hi syve me propaganda dhe ndoshta me një të mirë mes miliona nevojave që ka ky vend. Shqipërisë sime të shtrenjtë, i duhen arsimtarë të mirëfilltë, që nuk bëjnë publike bindjet e tyre politike, “nuk ju dashurojnë marrëzisht dhe as lëpihen” në rrjetet sociale dhe nuk bëjnë sherre virtuale për parti.
Në Shqipërinë time të vyer, duhet që stafi pedagogjik të mos ndërrohet sa herë ndërrohen qeveritë. Duhet që mësuesi/ja e muzikës të mos japë gjuhë-letërsi. Sistemi arsimor ka nevojë për mësues që kanë kryer studime dhe jo të kenë blerë diploma në universitetet private të mbështetësve apo simpatizantëve tuaj, të cilët po shkatërrojnë arsimin publik. Shqipëria ime e dlirë, të cilën ju po e njollosni e zamkosni çdo ditë, ka nevojë për arsimtarë humanë e profesionistë, Ka nevojë që nxënësit ti këndojnë mësuesit “ti për ne je prindi i dytë që na edukon”, jo skizofrenë që shohim çdo javë në emisionet investigative.
Të dashur pushtetarë, është koha e realitetit. Mësimi online është një katastrofë dhe ju e dini mirë se një pjesë nuk i ka mundësitë të ketë smartphone apo kompjuter, pjesa dërrmuese as nuk e konsiderojnë pasi kanë të njohur e miq të fortë dhe pjesës tjetër i’a realizojnë prindërit ose motra/vëllai më i madh. Të dashur pushtetarë është koha ti pranoni gabimet tuaja, ti ktheni sytë nga Shqipëria, të përvishni mëngët pasi do t’ju bien kokës fjalët e Dritëroit: Gabimi i një mjeku varroset në tokë dhe gabimi i një arsimtari zvarritet në tokë!
Nuk duam të mbetemi e të nxjerrim breza injorantësh të pa gdhëndur për shkak të delirizmit tuaj, JEMI NË KOLAPS!
E.D/Darling.al