Ka marrë një qasje tjetër vrasja e Liridona Ademajt Murselit, tridhjetë e tre vjeçares, nënë e dy fëmijëve të mitur dhe bashkëshortja e Naim Murselit, ish këshilltar i Begjet Pacollit.
Fillimisht për policinë dhe median u tha se mbrëmjen e njëzet e nëntë nëntorit, rreth orës 20:20 janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në lagjen Dalip Alshiqi në Prishtinë. Pasi policia mbërriti në vendngjarje, është gjetur e pajetë Liridona Murseli e cila ishte ekzekutuar me armë zjarri në makinën ku ishte edhe bashkëshorti i saj Naim Murseli së bashku me 2 fëmijët e tyre.
Dyshimet e para kanë qenë për një grabitje, pasi edhe Naim Murseli në dëshminë e dhënë deklaroi se 2 persona të maskuar u kishin kërkuar paratë dhe në largim e sipër kishin qëlluar me armë zjarri gruan e tij, Liridona Murselin e cila mbeti e vdekur në vend.
Por, pak orë pas varrimit të së ndjerës policia ka arrestuar Naim Murselin si organizator i vrasjes së Liridonës.
Tre persona janë arrestuar deri tani lidhur me vrasjen e Liridona Murselit. Nga hetimet paraprake dyshohet se Naim Murseli, bashkëshorti i 30 vjeçares ka porositur vrasjen tek dorasi Granit Plava kundrejt 30 mijë eurove. Edhe një pjesëtar i FSK-së, Kanon Kokalla, nipi i Murselit është arrestuar si bashkëpunëtor.
Policia thotë se ka sekuestruar dhe armën e krimit ndërsa janë bastisur dhe dy ambiente në Gjakovë në zonën nga vinte Murseli. Index publikoi dhe një foto të armës tip pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja mbrëmjen e 29 nëntorit 2023.
Sipas hetimeve, Naimi ka kërkuar divorcin nga bashkëshortja dhe kjo e fundit e ka kërcënuar se nëse kërkon të ndahet pa shkak do të bëjë publike të gjitha faktet që e implikonin atë të vjedhje dhe korrupsion gjatë kohës që ka qenë këshilltar i Pacollit.
Ndërkohë, familja e Liridonës i kanë dhënë dy ditë kohë familjes Murseli për të zhvarrosur trupin.
Pas arrestimit, Naim Murseli gjendet pas hekurave dhe informacionet e para bëjnë me dije se ka pranuar të jetë organizator i krimit.
Darling.al