Kompania META duket se ka plane të reja për Facebook dhe Instagram, teksa ka prezantuar profilet speciale me abonim, që do të hyjnë në fuqi shumë shpejt në platformat sociale.
Këto profile mund t’i marrë kushdo (mbi 18 vjec) dhe vecorinë kryesore e kanë se nuk do të kenë reklama.
Shërbimi do të mbulojë të gjithë Bashkimin Evropian (BE) dhe do të ofrohet për rreth 9,99 €/muaj në web ose 12,99 €/muaj në iOS dhe Android. Arsyeja përse po lancohet ky opsion, është jo vetëm për qëllime përfitimi, por sepse META synon të adresojë shqetësimet e BE-së, në lidhje me problemet që ka legjislacioni i vendeve europiane për reklamat e këtyre rrjeteve sociale dhe praktikat e mbledhjes së të dhënave.
Duke u dhënë përdoruesve një zgjedhje midis pagesës për shërbimin e heqjes së reklamave (që nisur nga mbledhja e të dhënave synojnë përdorues të caktuar) ose përdorimit falas të platformave duke pranuar mbledhjen e të dhënave, Meta beson se do të përmbushi kërkesat e privatësisë të vendosura nga një koleksion ligjesh evropiane, duke përfshirë Tregjet Dixhitale dhe GDPR.
“Ne respektojmë frymën dhe synimin e këtyre rregullave në zhvillim në Europë dhe jemi të përkushtuar t’i respektojmë ato”,- ka deklaruar faqja zyrtare e META-s, teksa thekson se do të vazhdojë të ofrojë akses falas në produktet e saj për ata që nuk dëshirojnë të paguajnë.
Kompania thekson se përvoja për përdoruesit që nuk paguajnë nuk do të ndryshojë dhe mjetet ekzistuese të preferencës së reklamave do të mbeten të disponueshme.