Ditën e djeshme vëmendja ishte tek ngjarja e ndodhur në Rrëshen, ku humbi jeten Martin Bardhi, 59 vjeç.
Ai sapo ishte ulur në një tavolinë në pjesën e jashtme të lokalit të tij, kur persona ende të paidentifikuar hapën zjarr duke e lënë të vrarë dhe plagosur 3 kalimtarë.
Pas kësaj 3 autorët u larguan me një fuoristradë “Jeep” e cila u gjend duke u djegur në Gziç, një fshat aty pranë.
Disa orë pas krimit u shoqëruan në komisariat 10 persona, mes tyre dhe Saimir Reçi e babai i tij, me të cilët Martin Bardhi ishte në konflikt.
Pasi deklaruan se nuk kanë lidhje me këtë ngjarje, ata dhe personat e tjerë u lanë të lirë.
Martin Bardhi ishte një person i njohur në Rrëshen pasi pak kohë më parë kishte dalë nga burgu ku ishte arrestuar për një sulm ndaj anëtarëve të fisit Reçi.
Përplasjet me këta të fundit kanë nisur që në vitin 1994 kur është vrarë Ilir Reçi. Për këtë krim akuzohet një nga anëtarët e fisit Bardhi.
Por përveç këtyre përplasjeve me fisin Reçi dhe jo vetëm, një tjetër pistë hetimi është dhe aktiviteti jashtë shtetit, i djalit të tij. Dyshohet se i riu është i përfshirë në trafikun e drogës.