“Borëbardha” do të ri-sillet në një version të ri për të gjithë brezat e rinj, bazuar te klasiku i njohur “Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhat” nga viti 1937.
Edhe pse filmi është ende larg publikimit, është vendosur që tani në qendër të polemikave. Kjo, pasi fillimisht, u vendos që të hiqeshin personazhet xhuxha, duke u zëvendësur me krijesa magjike. Mirëpo, ky vendim bëri që të mërziteshin shumë aktorë xhuxh, të cilët u ndjenë të përjashtuar nga projektet e ndryshme filmike dhe televizive.
“Disney” ka publikuar imazhin e parë nga filmi i ardhshëm dhe duket se xhuxhat janë ende në film, por ata nuk janë aktorë të vërtetë, por personazhe të CGI (Imazhet e gjeneruara nga kompjuteri).
Jo vetëm që ata kanë publikuar imazhin e parë zyrtar nga filmi, por edhe një datë të re të publikimit, e cila tani është planifikuar për 21 Mars 2025, pothuajse një vit më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht.