Nga një hetim, i nisur në 2017 nga policia italiane janë arrestuar tre shqiptarë Emirjan Beu, Syrjan Tola dhe Dorian Beu, të cilët ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotikëve.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të sekuestrojë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të këtyre shtetasve dhe familjarëve të tyre.
Këto pasuri, të cilat kapin vlerën mbi 1 milion euro, dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 3 shtetasve të vënë në pranga. Pasuritë e sekuestruara janë 2 shoqëri tregtare me objekt fushën e peshkimit, së bashku me asetet e tyre, aktivitetet tregtare të 3 subjekteve fizike, së bashku me asetet e tyre, 1 anije peshkimi, 1 apartament, 1 garazh, 1 njësi shërbimi bar-kafene dhe 3 njësi të tjera shërbimi të ndryshme.
Vijon megaoperacioni policor i koduar “Highway”, i iniciuar nga Policia italiane, që në vitin 2017, për shkatërrimin e një grupi kriminal për trafikimin e narkotikëve.
Kjo fazë e megaoperacionit u finalizua si rezultat i shkëmbimit intensiv të informacioneve dhe veprimeve të përbashkëta operacionale, të Policisë së Shtetit Shqiptar me Policinë italiane.