E djelë sot. Një prej të shumtave,por jam plot emocion këtë ditë të vecantë. Një takim i lënë me gazetarin Marin Mema,që për mua do të thotë shumë, më bën të qëndroj para tavolinës së gjërë të lokalit ku e pres të vijë për intervistë. Në keto perpjekje të para të miat çoj  në mendje shumë pyetje,i ripërsëris,dikë edhe e heq,disa më duken të tepruara, disa rrëzohen para llogjikës së një pyetje te ristrukturuar edhe më mirë. Marini ndërkohë  vjen dhe ulet përballë  pas përshëndetjes e shtrëngimit të duarve ,një  ritual i mësuar përmëndësh, por i nevojshëm për ata që  njihen  për herë  të  parë ..…

Në dokumentarët e shumtë në shumë elementë të përdorur ndihej dora e punës sa mjeshtërore aq edhe me dashuri të tij, e kështu personin  që ai përfaqëson e kisha menduar pak a shumë në të njëjtat përmasa,veçse nuk më kishte shkuar mendja të ishte po aq i thjeshtë e modest, sa nuk me besohej e ndihesha si një nxënës i filllores.

Kjo thjeshtësi në  të  shprehur ma lehtësoi pozitën time dhe emocionin patjetër, që sot mu bë shok i ngushtë…… Kish nisur bashkëbisedimi para se vetëdija ime të ish tërësisht e kthjelluar e shumica e pyetjeve të shestuara prej ditësh me shumë kujdes, thjesht u kapërcye në  panevojën e thënies së  tyre, sepse tashmë  ishin rrëfyer natyrshëm prej vetë Marinit.

Besoj se kuptohet që nuk po ndjek mënyrën e zakonshme të intervistave , duke shkruar fjalë për fjalë pyetjet dhe përgjigjet sipas një rradhe të paracaktuar, por zgjodha t’i shpreh ato sipas mbresave që më lanë dhe pse jo, mesazheve që mora unë prej tyre.

Si çdo femijë në këtë botë përherë ka një pikënisjeje dhe kështu ka ndodhur me Marinin.Ka qënë shembulli i prindërve,sidomos i mamasë, që në gjurmët  e punës së saj pak nga pak u mëkua tek ai dashuria për gazetarinë, si profesion në rradhë të parë, sepse si një realitet televiziv u rajëvizua më vonë me kalimin e viteve pas përfundimit të studimeve per gazetarii.

Vura re gjatë të folurit se e karakterizonte një pasion i madh për figurat historike(që mesa duket e kemi të përbashkët),dhe jo vetëm tërheqja drejt historisë si lëndë, por si ngjarje të rëndësishme në jetën e një kombi e në veçanti të tonit. Mu kujtuan fjalët e dikujt shumë të dashur për mua qëmë thosh përherë:-Kur shoh  emisionet e Marin Memës merr vlerë shprehja “Jam krenar që jam shqiptar”! ….

Gjithsesi kurioziteti dhe padurimi e zë shpejt vendin që u takon me të drejtë në vijim të bisedës dhe ….dalin aty ku duan,tek pyetjet mbi figurat e përmendura në dokumentarët e tij.Për mua një nga të preferuarit  është Gjenerali me shajak,ku figura qëndrore mahnitëse është Elez Isufi ..

Është pak të them sa më emocionon madhështia e kësaj figure e prandaj jam i paduruar të di si u njoh ai me të, si e ndërtoi punën për dokumentarin dhe sa e ka ndjerë kënaqësinë e bërjes së një dokumentari në këto përmasa. Kuptueshëm që nuk zihet fare në gojë lodhja dhe sakrificat personale, ecjet pa fund, xhirimet naten e ditën, kërkimi për momentin e duhur, personin e duhur, puna në grup etj,etj. E prisja madje këtë përgjigje deri diku të parashikuar,por ai e kaloi thjesht, me të njëjtën thjeshtësi që dikush flet për një gjë të çmuar për të.

Kuptoj mes fjalëve që në këtë botën tonë paska akoma njerëz idealistë, me besim të madh tek e mira e njerëzimit e ne veçanti tek kurajo dhe fuqia e një populli. E të mendosh për një çast, nuk është e vetmja figurë që edhe atë e mahnit, janë dhjetra të tjerë që nuk arrin dot t’i ndajë në të preferuar më shumë a më pak. Kështu biseda fiton temp tek personazhe të tillë si Çerçiz e Bajo Topulli, Mihal Grameno, At Stath Melani, Papa Kristo Negovani e shumë të tjerë që kanë marrë jetë, janë ringjallur rishtazi  në këto dokumentarë.

Nuk e di sesa në modestinë e të folurit dhe sjelljes së tij arrin ta ndjejë thellësisht kontributin e madh që po jep në  kujtesën e heronjve të këtij kombi?! E qartë që nuk flas për rastësi  gazetareske (sepse kjo nuk qëndron absolutisht), madje as për naivitet njerëzor, për të dyja kam  bindjen se ai qëmton e rrëmon nën vetëdijen e plotë të një njëriu që studion ngjarjet me saktësinë e një historiani, flet me zemrën e nje atdhetari, punon me kthjelltësinë e një profesionisti. Përshtypja ime qëndron nën faktin e koshiencës si kontribut shoqëror, në ndërgjegjen tonë kolektive, nëmemorjen kombëtare që  ndoshta ka pësuar zbehje , ronitje ndër këto vite, aq sa vazhdimisht e kam me vete një  frikë  të  brendshme se brezi më  i ri nuk ka një  interes të  vërtetë  për këta njerëz të  mëdhenj që  sakrifikuan shumë,madje nuk e zmadhoj kur them  gjithçka në  kauzën gjuhë -komb.

Ky person që kam përpara me punën e bindjet e tij, me mënyrën si ka zgjedhur ti shohë e sjell para nesh, shikuesve, më  bindi se shpresa s’duhet humbur, se për sa kohë intelektualët e vërtetë do të rreken t’i hapin rrugë mirënjohjes për figurat e shquara, për sa kohë ata do të bëhen promotorë për t’i thënë jo nihilizmit, indiferencës, apo mw keq harresës, atëherë patjetër që do të ketë ripërtëritje shpirtërore vendi ynë. Uroj që ashtu si na dha fjalën tërë këtë punë një ditë të vendosë ta fiksojë në një libër, përtej kamerave..

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here